Doli me makinë, përplasi patrullat e policisë: “Blutë” e Tiranës, ndjekje si në filma ndaj të fortit me BMW

Policia e Tiranës ka arrestuar një 33 vjeçar, pasi gjatë ditës së djeshme edhe pse ndalohej qarkullimi ka dalë në rrugë me makinën e tij. Kur policët i bënë thirrje të ndalonte ai përplasi dy makinat e patrullës së policisë me qëllim largimin nga vendi i ngjarjes.

Fill pas kësaj, forcat e rendit i janë vënë pas makinës së drejtuar nga 33 vjeçari, i cili ndodhej brenda bashkë me vëllain.

Në tentativë për t’u larguar, të rinjtë kanë braktisur makinën duke ikur me vrap në fshatrat e Vorës, por aty janë kapur nga policia.

Gjatë kontrollit, policia i ka kapur 12 400 marka zvicerjane dhe një thikë.

Njoftimi i plotë

Në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E. K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhëne shenjë për të ndaluar mjetit tip BMW me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12 400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Arrestimi i shtetasit M. K., u bë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E. K. është proceduar penalisht, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.