COVID-19/ Dilemat e mjekëve: Kush vjen i pari, shërbehet i pari

Letër nga neurokirurgu Henry Marsh Finacial Times

Fakti që Covid-19 do të ishte një problem shumë serioz mbërriti tek unë si shqetësim menjëherë pas ditëlindjes sime të 70-të, dy javë më parë. E kisha festuar këtë datë përmes një feste të vogël dhe të lumtur me familjen dhe miqtë e mi – në retrospektivë, disa prej tyre pothuajse me siguri ishin infektuar tashmë nga virusi. Ne bënim shaka me njëri-tjetrin për të mos shtrënguar duart ose për të mos u përqafuar. Unë nuk e vlerësoja rrezikun atë kohë, por festa nuk ishte vetëm një event për ditëlindjen time, por, në fakt, ishte duke shënuar hyrjen time në një grup me rrezik më të lartë drejt vdekjes nga virusi.

Nuk ka asgjë të re në lidhje me pandemitë dhe madje asgjë të re në kujtimet tona të shkurtra – veçanërisht rreth ngjarjeve të dhimbshme, si në jetën tonë, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Koha shëron të gjitha plagët, siç thonë ata, por kjo na bën edhe ne të prekshëm. Shumica prej nesh vuan gjithashtu nga një optimizëm i lindur biologjik, që na bën të besojmë se gjërat e këqija u ndodhin njerëzve të tjerë, por jo neve vetë. Sidoqoftë, problemet lindin kur ata që konsiderohen të fuqishëm vuajnë të njëjtat pasoja si dhe të dobëtit.

Pas mohimit fillestar, Kina mori masa shumë të shpejta, e stërvitur nga historiku për koronavirusin e fundit vdekjeprurës, por më pak të transmetueshëm të Sars-it. Në perëndim, shumica prej nesh – përfshirë dhe veten dhe sigurisht politikanët tanë dhe drejtuesit e NHS (Shërbimi i Shëndetit Publik Kombëtar në UK) – e ngushëlluan veten me mendimin se ajo që ndodhi në Kinë ishte larg dhe me pak rëndësi për ne dhe, sidoqoftë, do të ishte vetëm një sëmundje e të moshuarve që do të vdisnin së shpejti gjithsesi. Mos u frikësoni! Vazhdoni të qetë dhe ecni përpara! (Dhe mos harxhoni shuma të mëdha parash për veshje mbrojtëse për punonjësit e shëndetit.) Sa gabuam!

 

Çdo pandemi, siç na thonë ekspertët, është e ndryshme. Ajo që bie në sy është se Covid-19 paraqet një kërcënim serioz, kryesisht për të moshuarit dhe të sëmurët – “pacientët me shumë sëmundje njëkohësisht”, të quajtur në zhargonin e përditshëm mjeksor “co-morbitë”. Për arsye të panjohura, një numër i konsiderueshëm i pacientëve të moshës së mesme janë gjithashtu në rrezik serioz. Është e qartë se shumë njerëz mund të jenë asimptomatikë duke mbartur infeksionin pa e ditur atë – fakt që vështirëson kontrollin e sëmundjes.

Tek njerëzit e ndjeshëm, virusi shkakton pneumoni pas ditëve të para (kur fillimisht simptomat mund të jenë të vështira për t’u dalluar nga një i ftohtë ose grip i zakonshëm). Në të kaluarën nuk kishte asnjë trajtim për pneumoni virale, përveç oksigjenit. Ose jetoje, ose vdisje. Tani mund të shpëtojmë disa nga këto jetë me ventilatorë mekanikë, të cilët e dërgojnë oksigjenin në mushkëritë jofunksionale. Por edhe me ventilimin, do të ketë akoma shumë vdekje.

Problemi është i hershëm – Covid-19 është pandemia më e fundit e në një linjë të gjatë virusesh në kohë. Ka shumë shembuj të pandemive që ndryshuan në mënyrë drastike rrjedhën e historisë. Por kjo është veçanërisht më modernia prej tyre. Fakt përkeqësues në kohërat e sotme është numri i madh i të moshuarve. Për më tepër, në të kaluarën, nuk ka pasur ventilatorë në masë. Tani pothuajse me siguri do të ketë një numër të madh të pacientëve që kanë nevojë për ventilim, edhe pse vdekshmëria e virusit vetëm për një rajon mund të jetë prej 1 përq ind. (Statistikat tregojnë normën 4.5 për qind, por kjo shifër është shumë e pasigurt, pasi thjesht nuk e dimë se sa raste asimptomatike mund të ketë në popullatë ose sa pacientë aktualisht në spital do të vazhdojnë të vdesin.)

Por edhe nëse do reduktohet me 1 për qind do shohim mijëra njerëz – mbase miliona në mbarë botën – të cilët do të vdesin pa ajrosje artificiale dhe jo të gjithë do të jenë të moshuar ose të sëmurë me sëmundje të tjera paralele. Përveç kësaj, a nuk e meritojnë të drejtën për të jetuar dhe trajtimin mjekësor të moshuarit dhe të sëmurët ekzistues? Mund të ketë numër masiv pacientësh aq sa për të çuar në kolaps sistemin e kujdesit shëndetësor, pasi në shumicën e vendeve, ventilatorët dhe stafi i trajnuar i nevojshëm për të drejtuar ato mungon ose varianti b, është shumë i ulët.

Ndërveprimi social përcakton shkallën me të cilën përhapet një pandemi e virusit të frymëmarrjes. Ai lulëzon duke shfrytëzuar faktin se ne jemi krijesa të tilla të shoqërueshme. Kërcen nga një person në tjetrin – nga prekja, nga dashuria, nga pikat në ajër, nga sipërfaqet e forta që kemi prekur. Kështu që politikanët dhe këshilltarët e tyre përballen me një zgjedhje të tmerrshme.

Si të ekuilibrojnë ndërveprimin shoqëror në mënyrë drastike, duke rrezikuar recesionin e ekonomisë, për të shpëtuar fëmijët e vegjël, punëtorët e kujdesit shëndetësor dhe disa të rinj të gjeneratës tjetër të së ardhmes? Mos harroni që çdo fëmijë në planet, tani po privohet nga shkollimi. Nëse shërbimi shëndetësor shembet, nuk do të jenë vetëm njerëzit me virus që vdesin, por shumë me kushte të tjera të rrezikshme për jetën, të cilët nuk mund të hyjnë në trajtimin që ata normalisht do të kishin marrë para katastrofës.

 

Politikanët flasin për “luftën që po zhvillojnë” kundër virusit. Lufta përfshin sakrificën. A po sakrifikojmë të moshuarit tani, për pacientët më të rinj, që kanë më shumë vite jetë, para tyre? Dhe kur e fillojmë përsëri veprimtarinë ekonomike për hir të brezave të ardhshëm? Vendimet se kush duhet të jetojë dhe kush duhet të vdesë në kulmin e krizës do t’iu ngarkohen mjekëve të varfër që kujdesen për pacientët – kjo është teoria që Xhorxh Bernard Shaw, në një kontekst krejt tjetër, përcaktoi si “Dilema e Doktorit”.

Ndërsa rastet shumohen, duhet të bëhen parashikime më të sakta se kush mund të shpëtohet realisht me kujdes intensiv dhe kush jo. Sir David King, ish-këshilltari shkencor i qeverisë, ka plotësisht të drejtë kur thotë se njerëzit në të nëntëdhjetat e tyre me probleme të frymëmarrjes nga Covid-19 nuk duhet të shkojnë në spital. Ai tashmë po kritikohet duke thënë këtë gjë – por kjo është një luftë, sakrificat duhet të bëhen.

 

 

Do të kemi më pak hapësira për zgjedhje, madje do na duhet të zbatojmë një kalkulim të egër dhe të tmerrshëm sipas nevojës, në shkelje flagrante të parimit të jetës. Sa kohë duhet të jetojë ky pacient? A ka ndonjë person në varësi për t’u kujdesur? Fakti që ata janë të dashur ose burrë e grua, a nuk është arsye e mjaftueshme për t’i trajtuar? Si mjekë, ne kemi gjithmonë për të bërë këto vlerësime, por zakonisht në mënyrë diskrete – nuk mund të bëjmë ligjin për jetët e pacientëve. Kolegët e mi tani do të duhet vetëm të marrin një numër ekstrem vendimesh të tilla më tepër sesa zakonisht. Unë nuk i kam zili ata. Mjerisht, do të funksionojë parimi “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.

 

Kate, ime shoqe, jeton në Oksford dhe ne kemi vendosur të qëndrojmë larg për momentin derisa sëmundja e saj kronike të jetë përmirësuar. I mungojmë intensivisht njeri-tjetrit dhe flasim shumë herë gjatë ditës në telefon. Është një mendim i jashtëzakonshëm që më vjen tani dhe ne jemi vetëm dy në mesin e qindra miliona njerëzve, në të gjithë botën, jeta e të cilëve është trazuar, ndoshta u ndryshua përgjithmonë, nga disa nanometra të ARN së virusit dhe nga dështimi i qeverive tona për të marrë seriozisht problemin, pasi ishte tepër vonë.

Vetësakrifikimi ka qenë dhe mbetet një pjesë e nënkuptuar e profesionit të mjekut. Është burim krenarie dhe dhimbjeje njëkohësisht, për këtë arsye të gjithë mjekët dhe infermierët meritojnë respektin tonë. Anjëherë kjo nuk është thënë me zë të lartë si këtë radhë gjatë krizës Covid-19.

Qeveria thotë se do të rikthejë në punë për ndihmë mjekët që kanë dalë në pension. Ndoshta për shkak të moshës sime nuk jam njoftuar ende. Me çfarë kam degjuar nga kolegët për kushtet në spitalet e Londrës, unë dhe familjarët e mi jemi pak në ankth, por nëse më telefonojnë, do të shkoj./abcnews.al