U dha alarmi për COVID-19, Trump: Së shpejti ne do të dalim nga izolimi

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se shpreson në çrrënjosjen e koronavirusit nga SHBA të paktën deri në Pashkë, në 12 prill, edhe pse guvernatori i New York-ut i dha alarmin që sëmundja po përhapet më shpejt sesa “një tren me shpejtësi”.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi se SHBA mund të bëhet epiqendra globale e pandemisë. SHBA ka regjistruar pothuajse 55,000 raste dhe gati 800 vdekje.

Në të gjithë botën janë konfirmuar më shumë se 420,000 raste që i afrohen 19,000 vdekjeve.

“Ne do të dalim nga izolimi së shpejti”, u shpreh Trump.

Trump paralajmëroi gjithashtu se nëse vendi nuk do të rihtehej sërish në punë mund të pësojë “një recesion masiv ose depresion”.

“Ju do të humbni njerëz. Do të keni vetëvrasje. Do të ndodhin të gjitha llojet e gjërave”, ka thënë ndër të tjera Presidenti amerikan.

Duke folur në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë më vonë, Trump tha se ai po fillonte “të shohë dritën në fund të tunelit”, megjithëse u shpreh se: “vendimi ynë do të bazohet në fakte dhe të dhëna të vështira”.