Cakaj në një avion me mjekët shkon në Romë për të kthyer shqiptarët, por bën gabimin e pafalshëm

Së bashku me mjekët që janë nisur drejt Bergamos, ka udhëtuar edhe Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Në fakt Cakaj ka tjetër mision në këtë udhëtim.

MEPJ në një njoftim për mediat ku ka njoftuar se ka nisur sot operacionin për kthimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit, ka publikuar dhe foto nga brenda avionit, ku Cakaj shihet në shoqërinë e mjekëve.

Ndoshta nga qejfi i këtij lajmi, apo nga entuziazmi i selfies me mjekët, ministri ka bërë një gabim.

Cakaj nuk ka respektuar distancën prej një metër, dhe shihet shumë afër me mjekët të cilët janë pa maska, e ai vetë pa asnjë masë mbrojtëse ndaj Covid-19 sikur të jetë imun dhe nuk i ka të nevojshme mbrojtjet.

Operacioni për rikthimin e shqiptarëve në vend do të vijojë gjatë gjithë javës duke bërë të mundur kthimin e atyre që kanë mbetur në shtete të ndryshme, nëpërmjet rrugëve tokësore dhe ajrore.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:

“Pas një pune të shkëlqyer të strukturave të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrinë e Brendshme, ka nisur sot operacioni për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit, për shkak të situatës që krijoi pandemia e COVID-19, me mbylljen e kufijve.

Nëpërmjet “Lasgushit” të vënë në dispozicion për kryerjen e këtij operacioni, vetë Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, po udhëton drejt Romës, për të siguruar përmbylljen e të gjithë procedurave dhe për të siguruar sjelljen e 120 shqiptarëve drejt atdheut te tyre.

Operacioni do të vijojë gjatë gjithë javës duke bërë të mundur kthimin e shqiptarëve të mbetur në shtete të ndryshme, nëpërmjet rrugëve tokësore dhe ajrore.

Rikthimi i qytetarëve, sipas prononcimit të MEPJ, do të bëhet sipas tre kategorive në të cilat përfshihen: qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar më shumë se 90 ditë në vendet ku ata janë bllokuar, studentët shqiptarë në vendet ku ata studiojnë dhe rastet humanitare”./abcnews.al