Home Health VIDEO / Transportuan pacientë me koronavirus, autoambulanca tek “Infektivi” pa asnjë masë...

VIDEO / Transportuan pacientë me koronavirus, autoambulanca tek “Infektivi” pa asnjë masë mbrojtëse

4

Autoambulancat e rretheve të ndryshme por edhe të  Tiranës vazhdojnë të sjellin pacientë të ndryshëm nga rrethe të ndryshme në Spitalin Infektiv në Tiranë.

ABC News ndjek nga afër hyrje-daljet në këtë spital i cili është kthyer në Spital Covid 1 ku trajtohen vetëm të sëmurët e infektuar nga koronavirusi.

Siç shihet nga pamjet e transmetuara ne ABC News masat mbrojtëse të stafit mjekësor lënë për të dëshiruar.

Në pamje shihet infermieri i cili ka veshur vetëm një përparëse transparente ndërkohë që nga këmbët mban të veshura këpucët si zakonisht me të cilat hyn në brendësi të ambulancës dhe më pas në ambientet e spitalit infektiv.

Këto masa mbrojtëse të detyrueshme, janë jo vetëm për stafin mjekësor, por edhe për punonjës të tjerë të prapavijës spitalore.

Në këto pamje, shihet gjithashtu edhe shoferi i ambulancës pa asnjë lloj mase mbrojtëse, pa dorashka dhe pa veshje të posaçme, i cili prek gjithçka në autoambulancën ku sapo ka transportuar pacientë të infektuar.

Neglizhenca, moskujdesi apo mangësia e pajisjeve mjekësore në rastin që shihet nga kamerat e ABC News janë një burim i konsiderueshëm infeksioni i këtij virusi nga i cili kanë vdekur deri më tani 8 persona.

Ditën e djeshme burime për ABC News njoftuan se në qytetin e Korçës ishte infektuar nga Covid-19 një shofer ambulance i cili është izoluar në shtëpinë  e tij./abcnews.al